Gjyqtarja Irena Gjoka pritet të vendosë sot kalimin për gjykim ose jo të dosjes së ish-Presidentit Ilir Meta, Monika Kryemadhit dhe të akuzuarve të tjera. Në një raportim për Mcn Live lidhur me seancën paraprake që po mbahet sot në Gjykatën e Posaçme gazetari Arsen Rusta bën me dije se jo zyrtarisht thuhet se seanca do të shtyhet.
“Pas pak minutash pritet që Gjykata e Posaçme, gjyqtarja Irena Gjoka të vendosë nëse hetimet e prokurorëve Sotir Kllapi dhe Arben Kraja janë të vlefshme, po ashtu edhe të Altin Dumanit, pasi në këtë çështje janë tre hetues që kanë hetuar faktet penale. Z.Meta ka pretenduar pafajësi, disa herë ka kërkuar ndryshim të masës së sigurisë, çka do ta kërkojë edhe sot. Jo zyrtarisht flitet që seanca do të shtyhet. Deri në këtë momente ka mbërritur pala mbrojtëse e Pirro Xhixhos, ndërkohë që pritet mbërritja e znj. Monika Kryemadhit dhe avokatëve të Ilir Metës. Është një fashikull voluminoz ku SPAK pretendon se ka gjetur prova dhe fakte. Nga ana tjetër u kërkua përjashtimi i Irena Gjokës si një gjyqtare në konflikt me opozitën dhe faktet juridike, gjë që s’u pranua nga kryetari i gjykatës s.Erjon Bani, dhe do të jetë po kjo gjyqtare që do vendosë”.



