
Dy persona janë vënë në prangat e policisë së Tropojës, pasi akuzohen se ndërtuan pa leje në zonën e mbrojtur të Luginës së Valbonës.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e veprimtarisë penale në fushën e ndërtimeve pa leje, veçanërisht brenda vijës së verdhë në zonat urbane dhe në ato të mbrojtura, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, dy të dyshuar.
Në pranga përfunduan P. J., 64 vjeç, banues në fshatin Rrogam, pasi kishte ndërtuar një objekt pa leje, në vendin e quajtur “Rrëzë Brijës”, i cili është zonë e mbrojtur dhe S. S., 75 vjeç, banues në fshatin Valbonë, pasi kishte ndërtuar një objekt pa leje, në vendin e quajtur “Bujtina Jezerca”, në fshatin Valbonë, i cili është zonë e mbrojtur.
Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Tropojës, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.



