
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Peqin arrestuan në flagrancë shtetasin E. H., 64 vjeç, me detyrë drejtues teknik, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme në kantierin e ndërtimit në fshatin Paulesh, ku gjatë kryerjes së detyrës, inxhinieri G. D., 42 vjeç, ra nga lartësia dhe humbi jetën.
Autoritetet nënvizojnë se arrestimi i drejtuesit teknik është bërë si masë e menjëhershme ligjore, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme ligjore.



