Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka kërkuar zyrtarisht caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” në mungesë për shtetasin nën hetim D.I. alias I.K. alias I.A., i cili akuzohet për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.
Paralelisht me këtë kërkesë, organi i akuzës ka kërkuar masën e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për shtetasen O.O., punonjëse në njësinë administrative numër 3 në Tiranë, si dhe për shtetasin A.K., i cili mban detyrën e specialistit IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile pranë Ministrisë së Brendshme.Hetimet e kryera rreth procedimit penal numër 5052 të vitit 2026 kanë zbuluar se shtetasi I.A., i dënuar më parë për mashtrim, ka cenuar me dashje dhe përmes veprimeve aktive veprimtarinë normale të organit shtetëror dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të shtetit shqiptar.
Ky person, i konsideruar me rrezikshmëri të lartë shoqërore, ka përdorur dokumente të falsifikuara sikur ishin lëshuar nga shteti i Izraelit me qëllim që të pajisej me pasaportë biometrike dhe kartë identiteti të rreme për të lëvizur lirshëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Historia e ndryshimit të identitetit të tij ka kaluar në disa faza përgjatë zyrave të shtetit. Fillimisht, ai arriti të ndryshonte emrin dhe mbiemrin në D.I. në Zyrën e Gjendjes Civile të Njësisë Administrative Novoselë në Bashkinë e Vlorës.
Por kur erdhi të jetojë në Tiranë, ai aplikoi për rinovim të pasaportës në njësinë numër 5 ku ishte banor. Aty u kuptua për herë të parë, se në Novoselë diçka nuk ishte bërë siç duhet dhe sistemi në Tiranë i nxori pasaportën e rinovuar por me emrin e dytë të tij, Indrit Kolleshi.
Sipas prokurorisë, vlonjati 41-vjeçar nuk hoqi dorë për të marrë në dorë pasaportën me identitetin izraelit. Kur kuptoi se në sistemin qendror të Gjendjes Civile figuronte me emrin e vjetër, ndërroi vendbanim, duke kaluar në njësinë numër 3 në Tiranë. Aty, më 29 dhjetor të vitit 2025, kërkoi të ndryshojë emrin dhe mbiemrin, duke paraqitur një certifikatë të falsifikuar me të dhënat e Ministrisë së Brendshme të Izraelit.
Punonjësja e zyrës, sipas organit të akuzës, nuk bëri verifikime për dokumentin, dhe e futi atë në sistemin e gjendjes civile. Këtu, Indrit Aliu ka arritur të bëjë fakt ndryshimin e emrit edhe në sistem, përmes një user-i (llogarie) në gjendjen civile të lënë aktive, që kishte qenë në përdorim më parë, nga një punonjës i dalë në pension prej të paktën 3 vitesh.
41-vjeçari me 3 identitete u shpall në kërkim me masë arresti dhënë në mungesë i dyshuar për veprën penale falsifikim i dokumenteve. Ndërkohë edhe punonjësja në njësinë administrative nr.3 në Tiranë u pezullua nga detyra e dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.



