
Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur në Spanjë, ku një 32-vjeçare shqiptare dyshohet se ka vrarë fëmijën e saj dy vjeç, ndërsa ka ushtruar dhunë edhe ndaj fëmijës tjetër, binjak me viktimën. Mediat spanjolle shkruajnë se ngjarja ka ndodhur ditën e shtunë, ndërsa shqiptarja ka telefonuar policinë duke thënë se në banesën e saj ndodhej pajetë djali i vogël, si pasojë e një goditje të rëndë pasi ishte rrëzuar.
Menjëherë në banesën e saj në komunën e Bigastros ka mbërritur ambulanca dhe ka marrë trupin e dy vjeçarit, por pas autopsisë u vu re se në trupin e djalit kishte shenja mavijosjeje dhe kocka të thyera si pasojë e dhunës së ushtruar.
Ndërkohë që edhe në trupin e binjakut tjetër u gjendën shenja dhune. Pas këtyre konstatimeve, 32-vjeçarja është vënë në pranga nën akuzën e vrasjes.



