Policia e Durrësit ka arrestuar shtetasit N. Xh., 49 vjeç dhe D. K., 48 vjeç pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se i kanë hequr lirinë përreth 45 minuta, duke i mbajtur në garazhin e banesës ku ishin akomoduar për pushime katër qytetarëve nga Kosova. Dy të arrestuarit i hoqën lirinë pushuesve nga Kosova me pretendimin se ata nuk kishin kryer pagesën për akomodimin në shtëpinë në pronësi të shtetasit D. K. Njoftimi i policisë: Durrës I hoqën lirinë katër shtetasve kosovarë, falë veprimeve të shpejta nga Policia, identifikohen dhe vihen në pranga 2 autorët e dyshuar. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, pas kallëzimit nga disa shtetas kosovarë, se në lagjen nr. 13, në Durrës, dy shtetas i kishin hequr lirinë atyre, në garazhin e banesës ku ata ishin akomoduar për pushime, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin, kapjen dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore. Si rezultat u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit N. Xh., 49 vjeç dhe D. K., 48 vjeç, të dy banues në Durrës. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se i kanë hequr lirinë përreth 45 minuta, duke i mbajtur në garazhin e banesës, katër shtetasve nga Kosova, të cilët ishin akomoduar për pushime në një shtëpi pushimi në pronësi të shtetasit D. K., me pretendimin se nuk kishin kryer pagesën për akomodimin. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.



