
Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë një banesë në fshatin Pilur të Devollit në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e shtetasit Gëzim Bono. Flakët kanë përfshirë thuajse të gjithë banesën, duke dëmtuar rëndë pjesën më të madhe të saj.
Falë ndërhyrjes së shpejtë të shërbimit zjarrfikës, u bë e mundur izolimi i zjarrit dhe shmangia e përhapjes së tij në banesat përreth. Fatmirësisht nuk ka raportime për të lënduar.
Përkundër dëmeve të konsiderueshme, është arritur të shpëtohet pjesa e kuzhinës, plevica dhe disa prej bagëtive të familjes.
Sipas dyshimeve të para, zjarri mendohet të jetë shkaktuar nga një shkëndijë elektrike. Sektori i emergjencave civile në Bashkinë Devoll do të bëjë vlerësimin e dëmeve.



