
Në 26-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Kosovës më 5, 6 dhe 7 mars organizon manifestimin gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Më 5 mars të vitit 1998 u shënua sulmi i tretë i forcave serbe ndaj komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Jashari, familjes së tij dhe lagjes së Jasharëve në Prekaz të Skenderajt.
Luftimet kishin zgjatur tri ditë, më 5, 6 dhe 7 mars. Nga familja e ngushtë e Adem Jasharit ishin vrarë 22 anëtarë, e 33 të lagjes dhe të tjerë. Sulmit i kishin shpëtuar Bashkimi, djali i Rifat Jasharit që ia kishte dalë të ikte nga rrethina dhe Besarta, vajza e Hamzës.
Në shënim të kësaj dite, Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë solemne me rastin e 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, me të vetmen pikë të rendit të ditës për shënimin e këtij përvjetori.
Në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, pritet të mbahet manifestimi qendror i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në nderim dhe kujtim të komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit të rënë për liri.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka publikuar logon për shënimin e 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në të cilën janë përdorur figurat e Shaban, Adem e Hamëz Jasharit dhe me shqiponjën pas tyre.



