Gazetari Ferdinand Dervishi e përkrah propozimin e ministrit të Drejtësisë Besfort Lamallari, i cili tha se për shkak të ngarkesës në paraburgime duhet të ndryshohet politika e caktimit të masave të sigurimit, jo me burg për dënimin deri në tre vite.
Ai deklaroi për edicionin e lajmeve në MCN TV se sistemi i burgjeve në Shqipëri ka probleme të mëdha, ku pjesa më e madhe janë për vjedhje dhe për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt.
Dervishi vlerësoi se amnistitë nuk bëhen për keq, për sa kohë që nuk përfitojnë të dënuarit nga GJKKO apo SPAK.
Sipas tij, kemi probleme shumë të mëdha me korrupsionin dhe sigurinë në burgje, duke kujtuar se në burgje ka pasur dhe vrasje.
Ata e dinë si i kanë burgjet, i kanë statistikat dhe i dinë problematikat se iu raportohet rregullisht. Sistemi i burgjeve në Shqipëri ka probleme shumë të mëdha. Ka shumë njerëz për vjedhje, numri më i madh i njerëzve në burgje janë për vjedhje. Ka shumë në burgje për drejtim të mjeteve në mënyrë të parregullt.
Besoj se duhet zgjidhur ndryshe që për këto veprat e vogla të gjendet një zgjidhje tjetër. Duhet ndryshuar ligji pasi në të kundërt nuk e bën dot. Mbase duhet të zbuten nëse kemi mbipopullim të burgjeve. Kemi shumë njerëz në burgje për drejtim të gabuar të makinës. Pse e kemi këtë problem? Se ne nuk marrim qoftë nga shkolla që bëjmë për të marrë patentën, as nga shoqëria nuk marrim edukimin për drejtimin e makinës në mënyrën e duhur. duhen rregulluar ca gjëra pak më herët, para se të vijmë te ligji.
Ne kemi kolaudim dy vjeçar, në rastin më të parë do thuash që një makinë që pëson aksident si ka kaluar në kolaudim? Edukimi në autoshkolla është i paplotë. Shikon në rrugë se si të fluturojnë ca makina të shtrenjta, ca të bukura, me fenelina policie, pa lidhje me policinë. Ky është keq edukimi që lind në familje, shoqëri, në rrugë.
Policia doli në aksion atëherë dhe tha rripi, rripi, dhe mësuan shqiptarët të vendosin rripin. Kalimi i Shqipërisë nga një shoqëri që nuk e respektonte shtetin, se nuk e njihte këtë shtet, është çik i dhimbshëm. Sigurisht nuk duhet të venë njerëzit në burg për një gardh. Sigurisht nuk duhet të mbushen burgjet me njerëz për ndërtime pa leje. Por shteti duhet të vjelë taksat dhe rregullat duhet të zbatohen.
Amnistitë që bëhen herë pas here nuk bëhen për keq. Nuk kanë lidhje me ata që janë dënuar nga GJKKO apo SPAK, por amnisti duhet të bëhen. Kemi probleme shumë të mëdha me korrupsionin dhe sigurinë në burgje. Para dy tre vitesh kishim vrasje në burg, u fut pistoleta dhe u vra i burgosuri.
Ka kaluar pa gjurmë një ngjarje në burgun e Reçit në Shkodër ku një 20-vjeçar rumun i arrestuar për vjedhje dhe narkotikë gjeti vdekjen. U tha se do çohej në spitalin e Koplikut që është më afër dhe vdiq rrugës.
Marrim këtë që s’kishte as lekë, as shok dhe marrim këtë të burgut të Durrësit që u arratis dhe shkonte në spital sa herë i dilte një puçërr. Ne aktualisht kemi korrupsionin problem shumë të mëdha në burgje. Në burgje korren lekë me anë të korrupsionit.



