Në fshatin Dvoran të Korçës u zhvillua këtë fundjavë Festa e Mollës, një traditë tashmë e përvitshme që synon të promovojë produktet vendase dhe të mbështesë fermerët e zonës.
Megjithatë, ndryshe nga vitet e mëparshme, atmosfera këtë vit ishte më e qetë dhe pjesëmarrja dukshëm më e ulët.
Fermerët lokalë shprehen për MCN tv, se viti 2025 ka qenë i vështirë për ta, për shkak të kushteve të pafavorshme natyrore që kanë ndikuar në uljen e prodhimit.
Ndërsa një pjesë e fermerëve tregojnë se janë të kënaqur me tregun, veçanërisht ata me kapacitete më të mëdha, fermerët më të vegjël shprehin shqetësime për vështirësitë në gjetjen e tregut dhe për uljen e shitjeve krahasuar me sezonet e kaluara.
Një tjetër problematikë e theksuar nga bujqit është mungesa e kapaciteteve frigoriferike për ruajtjen e prodhimit. Sipas tyre, frigoriferët ekzistues në zonë përdoren kryesisht nga vetë pronarët dhe nuk ofrojnë hapësira të mjaftueshme për fermerët e tjerë, duke rrezikuar kështu humbjen e një pjese të prodhimit.
Edhe pse Festa e Mollës mbetet një simbol i rëndësishëm për kulturën bujqësore të Korçës dhe një mundësi për të promovuar një nga produktet më të njohura të zonës, këtë vit festa ka pasur më shumë karakter tradicional sesa ekonomik.



