Autoritetet greke kanë nxjerrë në gjyq shtetasin bullgar, të akuzuar se përdhunoi me dhunë një 50-vjeçare shqiptare, e cila punonte si sanitare në Athinë.
Shtetasi bullgar dhe bashkëpunëtori i tij, ishin të veshur me jelek anti-plumb ndërsa shoqëroheshin nga forca të shumta policie në momentin që u futën në Gjykatë. Mediat greke shkruajnë se në momentin që 35-vjeçari u arrestua, ishte ulur pranë një kioske duke shijuar uzon për herë të fundit në liri. Ai njihet si një person me precedent penal, pasi më parë ishte arrestuar dhe dënuar po për të njëjtën vepër penale, për të cilën u arrestua sërish, përdhunim.

Ndërkohë, pas ngjarjes gruaja shqiptare dëshmoi para autoriteteve orët e tmerrit. “Unë kam punuar si pastruese për tre vjet në këtë ndërtesë. Teksa isha duke pritur për ashensorin, një burrë më tërhoqi për qafe dhe më futi në shtëpinë e tij në katin e parë. Ai po më mbyste, më vuri duart në qafë. Ai më zhveshi, më çoi në dhomën e tij dhe më përdhunoi. Më goditi në fytyrë. Në një moment, rreth orës 5 të pasdites, ai shkoi në kuzhinë për të gatuar. Vura re se kishte një çelës në derë. E hapa dhe shkova në ballkon. Arrita të kaloj në shtëpinë ngjitur dhe të shpëtoj”, ka treguar 50-vjeçarja shqiptare, e cila është shprehur më tej se nuk e njeh 35-vjeçarin që abuzoi seksualisht me të.



