
41 turistët polakë të cilët u paraqitën mbramë në urgjencën e spitalit të Vlorës me shqetësime gastrointestinale janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Këtë e konfirmoi sot ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila ndau foto të tyre duke u larguar nga ambientet e spitalit.
Manastirliu i shprehu mirënjohjen ekipeve mjekësore të Urgjencës së Spitalit Vlorë dhe Spitalit Memorial Fier, për ofrimin e ndihmës mjekësore për turistët polakë.
Mirënjohje ekipeve mjekësore të Urgjencës së Spitalit Vlorë dhe Spitalit Memorial Fier per ofrimin e ndihmës mjekësore në kohë rekord, për turistët polakë, të cilët sot kanë dalë nga të dy spitalet në gjendje të mirë shëndetësore.
Grupi i fëmijëve polakë kishin udhëtuar dje nga Shkodra drejt Vlorës, ku morën anijen për në Karaburun. Në mbrëmje ata u drejtuan drejt spitalit të Vlorës me çrregullime gastrointestinale.
Drejtoria Rajonale e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Vlorë nisi menjëherë hetimin epidemiologjik, ndërkohë që strukturat shëndetësore morën masat e menjëhershme sipas protokolleve mjekësore.






