113 vjetori i Policisë së Shtetit/ Uniformat blu mbeten pa drejtues, ikën Ilir Proda (VIDEO)

113 vjetori i Policisë së Shtetit/ Uniformat blu mbeten pa drejtues, ikën Ilir Proda (VIDEO)

Asnjë drejtues policie që nga marrja e pushtetit të mazhorancës socialiste nuk e ka përfunduar mandatin e plotë sipas ligjit. Nga Hysni Burgaj në javët e para të qeverisjes së PS e deri tek Ilir Proda, nuk kanë munguar përplasjet publike deri tek dorëheqjet, lirimet dhe shkarkimet e kryepolicave.

 

Në 113-vjetorin e krijimit, Armata e Policisë së Shtetit, e burrave dhe grave nën uniformë është pa një drejtues të zgjedhur sipas ligjit.

 

Pak javë më parë me vartësit e tij, si drejtori i shtatë në qeverisjen socialiste, Ilir Proda do të rendiste arritjet dhe sfidat e uniformave blu.

 

Ndërsa më 2 mars 2026, pa kaluar 24 orë nga publikimi në media i lajmit të shkarkimit të Prodës, qeveria dhe kryeministri Edi Rama firmosën lirimin nga detyra.

 

Me VKM nr.46, publikuar në Fletoren Zyrtare, thuhet se “me propozim të ministrit të Brendshëm, kryeministri Edi Rama firmos lirimin nga detyra”.

 

E teksa është hapur gara për drejtuesin e ri, mazhoranca e kryeministrit Edi Rama prej vitit 2013 ka larguar 7 drejtorë të përgjithshëm në Policinë e Shtetit. Ata e nisën me ish-drejtuesin e emëruar nga PD, Hysni Burgaj, të cilin e mbajtën në detyrë më pak se një muaj, raporton emisioni "FactCheck" në MCN TV.

 

Që nga tetori i vitit 2013 e deri në marsin e vitit 2026, në krye të Policisë së Shtetit kanë qëndruar shtatë drejtues: Hysni Burgaj, Artan Didi, Haki Çako, Ardi Veliu, Gledis Nano, Muhamet Rrumbullaku dhe Ilir Proda.

 

Nga këta drejtues, më jetëgjati në detyrë rezulton të ketë qenë Ardi Veliu, i cili drejtoi Policinë e Shtetit nga janari i vitit 2018 deri më 6 tetor 2021, rreth 3 vite e 9 muaj.

 

Në krahun tjetër, më pak në krye të policisë qëndroi Hysni Burgaj, i cili pas ardhjes në pushtet të socialistëve në vitin 2013 qëndroi në detyrë më pak se një muaj para se të jepte dorëheqjen.

 

Artan Didi drejtoi policinë nga tetori 2013 deri në shkurt 2015, rreth 1 vit e 4 muaj. Pas tij erdhi Haki Çako, i cili qëndroi në krye të Policisë së Shtetit nga shkurti 2015 deri në janar 2018, rreth 2 vite e 11 muaj.

 

Pas Çakos u emërua Ardi Veliu, ndërsa më pas drejtimin e mori Gledis Nano, i cili qëndroi nga 6 tetori 2021 deri më 31 gusht 2022, afro 10 muaj.

 

Pas Nanos në krye të Policisë së Shtetit u emërua Muhamet Rrumbullaku, i cili qëndroi në detyrë nga 31 gushti 2022 deri më 2 tetor 2024, rreth 2 vite e 1 muaj. Drejtuesi i fundit ishte Ilir Proda, i cili e mbajti postin nga 2 tetori 2024 deri më 1 mars 2026, afro 1 vit e 5 muaj.

 

Sa i përket mënyrës së largimit nga detyra, shumica e drejtuesve kanë dhënë dorëheqjen. Hysni Burgaj u largua për të kaluar në detyra të tjera në Policinë Akademike. Artan Didi u dorëhoq pas debatit për një urdhër-arrest ndërkombëtar. Haki Çako gjithashtu dha dorëheqjen, duke i hapur rrugë emërimit të Ardi Veliut. Edhe Ardi Veliu u largua me dorëheqje, duke u zëvendësuar nga Gledis Nano.

 

Ndërkohë, Gledis Nano është i vetmi që u shkarkua zyrtarisht për mosarritje të objektivave të sigurisë. Muhamet Rrumbullaku u largua nga detyra në kuadër të ndryshimeve qeveritare, ndërsa Ilir Proda dha dorëheqjen dhe me vendim qeverie u lirua më 2 mars 2026.

 

Pas largimit nga posti i kryepolicit, disa prej tyre kanë mbajtur ose kanë kaluar në detyra të tjera publike apo institucionale, ndërsa të tjerë janë tërhequr nga pozicionet drejtuese në Policinë e Shtetit.

 

Ardi Veliu sot drejton KAYO, kompaninë e themeluar nga shteti shqiptar për të rivitalizuar Industrinë Ushtarake.

 

Haki Çako është drejtues i emergjencave civile, institucion në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes me drejtori rajonale në varësi.

 

Artan Didi vijon të jetë oficer kontakti pranë ambasadës shqiptare në Uashington.

 

Burgaj dhe Rrumbullaku janë tërhequr nga funksionet publike në radhët e uniformave blu dhe s’mbajnë asnjë post.

 

Gledis Nano pas betejës ligjore të fituar me shkarkimin nga detyra, vijon të jetë jashtë administratës publike.

 

Ndërsa mbetet ende një pikëpyetje se cili do të jetë fati i ish-kryepolicit Ilir Proda pas lënies së postit.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy