
Gjatë protestës së djeshme për mbrojtjen e Teatrit janë shoqëruar në polici 64 persona dhe kanë arrestuar 7 prej tyre. Përplasja me policinë ka nisur që në momentin kur te Teatri kanë mbërritur fadromat e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit për prishjen e godinës.
Sipas policisë së Tiranës, janë lënduar 7 punonjës policie në detyrë. Punonjësit e lënduar janë efektivë të Patrullave të Përgjithshme dhe të forcës së posaçme “Shqiponja". Ata kanë marrë ndihmën e parë në spitalin e Traumës dhe spitalin "Nënë Tereza" dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Në përfundim të veprimeve të kryera, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatet e Policisë Nr. 1 dhe Nr. 3, arrestuan në flagrancë për veprat penale "Kundërshtim me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik" dhe "Pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme", 7 shtetas:
B. A., 38 vjeç;
K. Q., 37 vjeç;
S. N., 35 vjeç;
R. L., 35 vjeç;
E. M., 33 vjeç,
B. T., 30 vjeç;
E. Xh., 33 vjeç.
Ndërkohë, në gjendje të lirë janë proceduar 21 shtetas.
Për 36 persona të tjerë që ishin të shoqëruar në ambientet e Komisariateve u mor masë administrative në zbatim të Aktit Normativ për marrjen e masave të veçanta kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Policia e Shtetit apelon për organizatorët dhe pjesëmarrësit në tubim, se grumbullime të tilla janë në kundërshtim të plotë me ligjin dhe Aktin normativ duke u shndërruar në një rrezik potencial për përhapjen e infeksionit COIVD-19, pasi Tirana është ende një zonë e kuqe në hartën epidemiologjike të vendit.
Apeli vjen në një kohë kur një protestë tjetër është parashikuar të mbahet sot në orën 16:30.



