Sot shënohet 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës, një nga momentet më të rëndësishme të Luftës Nacionalçlirimtare në Shqipëri.
80 vjet më parë, më 17 nëntor 1944, Tirana u çlirua nga ushtria gjermane në Luftën e Dytë Botërore.
Muzeu Historik Kombëtar, në një postim në rrjetet sociale kujton këtë ditë të shënuar për kryeqytetin, ndërsa evidenton operacionin historik të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, si vendimtar për largimin e ushtrisë nazifashiste gjermane.
Operacion i madh, nga më të rëndësishmit, më të ashprit e më të suksesshmit që kanë zhvilluar njësitë e UNÇSH kundër forcave gjermane e bashkëpunëtorëve të tyre për çlirimin e qyteteve të Shqipërisë. Çlirimi i kryeqytetit iu ngarkua Korpomatës së I Sulmuese.
Shtabi i korparmatës hartoi një plan operacioni të hollësishëm në bazë të planit operativo-strategjik të Komandës së Përgjithshme. Plani parashikonte krijimin e frontit të brendshëm dhe të jashtëm me qëllim mbylljen dhe goditjen e garnizonit gjerman brenda Tiranës.
Operacioni u zhvillua në tri faza: faza përgatitore (12 shtator – 28 tetor), faza e parë e sulmit (29 tetor – 10 nëntor) dhe faza e sulmit përfundimtar (11 – 17 nëntor). Operacioni i mësymjes për çlirimin e Tiranës përfundoi me fitore, pas 19 ditë luftimesh të ashpra (29.10 – 17.11) brenda në qytet, si dhe gjatë rrugëve të komunikacionit që çonin drejt tij. Më 17 nëntor Tirana u çlirua.
Rol të veçantë për suksesin e operacionit luajti beteja e Mushqetasë. Lufta për çlirimin e Tiranës kishte karakterin e luftës së vërtetë ballore, ku u dukën qartë shkalla e organizimit të UNÇSH.
Në luftën për çlirimin e Tiranës, një kontribut të çmueshëm dha populli i kryeqytetit, i cili i mbështeti fuqimisht të gjitha luftimet që u zhvilluan nëpër lagjet dhe rrugët e tij.




