
Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani tha se trupat e 45 viktimave në tragjedinë e rëndë në Bullgari do të transportohen në vend javën e ardhshme.
Sipas Alsat, Osmani tha se po mban komunikim me MPJ-në bullgare, por nuk di në cilën datë saktësisht do të transportohen trupat në Maqedoni. Pasi prokuroria e Maqedonisë së Veriut ia dorëzoi Prokurorisë bullgare të gjitha provat, përfshirë analizat e ADN-së nga familjarët e të ndjerëve, identifikimi duhet të kryhet sa më shpejt në Bullgari.
“Është paralajmëruar një javë pas aksidentit, por ka projeksione të ndryshme, që mund të jetë një ditë më vonë, deri në fund të javës. Pra, nuk mund ta dimë me siguri, sepse gjithçka do të varet nga mënyra se si zhvillohet procesi i identifikimit të ADN-së në laborator”, tha Bujar Osmani, ministër i punëve të jashtme.
Një ditë më parë në vend kanë mbërritur dy nga shtatë pacientët e mbijetuar që janë vendosur në repartin e kirurgjisë plastike. Të hënën edhe tre pacientë nga Sofja do të transportohen në Shkup për kurim të mëtejshëm.
Aksidenti fatal ndodhi mëngjesin e 23 nëntorit, kur 45 persona humbën jetën në tragjedinë e ndodhur në autostradën Struma në Bullgari.



