
Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar këtë të mërkurë në zonën e Kunes, në Shëngjin, ku për pasojë ka mbetur i plagosur një i ri.
Ai është transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku po merr ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Korrespondenti i 'MCN live' në Lezhë, Juli Simoni, raporton se dyshohet që ngjarja të ketë ardhur pas një konflikti mes të plagosurit dhe disa personave të tjerë.
Rreth orës 10:45, në një kompleks në Shëngjin, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasi Kristjan Gjoni, rreth 35 vjeç.
I dëmtuari është transportuar për ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja ka ndodhur pranë një resorti në rrugën e Kunes, ndërsa forca të shumta policie kanë mbërritur në vendin e ngjarjes për të kryer veprimet hetimore.
Sipas burimeve paraprake, nga veprimet e shpejta hetimore janë identifikuar dy shtetas të dyshuar si autorë të plagosjes, ndërsa vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për dokumentimin e shkakut që çoi në përdorimin e armës së zjarrit.



