Vendet e Evropës po përballen me një valë të nxehti përvëlues, ku në disa shtet termometri ka shënuar vlera rekord.
Franca, Spanja dhe vende të tjera të Evropës Perëndimore përgatiten për një fundjavë të nxehtë që do të thyejë rekorde dhe ngjalli shqetësim për zjarret në pyje dhe efektet e ndryshimeve klimatike, raporton theGuardian.
Në Francë temperatura arriti deri në 42°C, ndërsa shkencëtarët kanë paralajmëruar se valët e të nxehtit do të godasin edhe zona të tjera si shkak i ndryshimeve klimatike. Njerëzit janë parë teksa freskohen nën shatërvanë në Nice, Francë.
Temperaturat pritet të ulen të dielën, me stuhi të parashikuara në disa pjesë të Francës.
Në Spanjë, zjarret dogjën gati 9,000 hektarë tokë në pyje në rajonin veriperëndimor të Sierra de la Culebra të premten, duke detyruar rreth 200 njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre, thanë autoritetet rajonale.
Dhe më shumë se 3,000 njerëz u evakuuan nga parku tematik Puy du Fou në Spanjën qendrore për shkak të një zjarri të rënë aty pranë.
Zjarrfikësit po luftojnë me zjarret në disa rajone të tjera, duke përfshirë pyjet në Katalonjë, ku kushtet e motit e ndërlikuan luftën.



