Oda e Mjekëve të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë që të kompensojnë me nga 1 mijë e 500 euro fëmijët e punëtorëve shëndetësorë që kanë vdekur si pasojw e Covid-19. Në kërkesat e tyre të cilat janë premtuar se do të realizohen, janë përfshirë fëmijët nën 18 vjeç, ndërsa ata mbi këtë moshë nuk do të marrin asgjë si kompensim.
Oda e Mjekëve të Kosovës, më 12 janar të këtij viti, i ka nisur një shkresë ligjore kryeministrit Avdullah Hoti dhe ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, të cilëve u ka kërkuar që të kompensojnë familjarët e mjekëve që kanë humbur jetën në krye të detyrës.
Ata po kërkojnë, që fëmijët e punëtorëve shëndetësorë që kanë vdekur gjatë pandemisë, të cilët janë nën moshën 18 vjeç, të kompensohen me nga 1 mijë e 500 euro në muaj.
Ndërsa, nga kjo Odë është bërë e ditur sot se këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Alush Gashi u ka konfirmuar se kryeministri Hoti ka mbështetur kërkesën e tyre, derisa i kanë kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë që të fillojnë procedurat për draftimin e aktit normativ për kompensimin e familjeve të mjekëve dhe punëtorëve tjerë shëndetësorë.
Kryetari i kësaj Ode, Pleurat Sejdiu ka thënë se kanë kërkuar që këtyre fëmijëve tu ndahen 1 mijë e 500 euro në muaj, derisa ata t’i mbushen 18 vjet.
Që nga fillimi i pandemisë deri me tani në Kosovë mbi 30 punonjës shëndetësor kanë vdekur nga Covid19.



