
Kontrolle blic nga forcat operacionale të DVP Vlorë, Forca e Posaçme “Shqiponjat” dhe Policia Rrugore. Një 17-vjeçar është arrestuar si rezultat i këtyre kontrolleve pasi ishte në kërkim për tentativë vrasjeje.
Nga kontrollet e përbashkëta policore u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit E. K., 17 vjeç, banues në lagjen “Partizani”, Vlorë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin e datës 01.11.2021, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale ”Vrasja për shkak të marëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë dhe ”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Në vijim të veprimeve hetimore për ngjarjen e ndodhur më datë 31.12.2020, në Vlorë, ku është tentuar të vritet me armë zjarri, shtetasi Xh. M., ka rezultuar se i përfshirë në këtë ngjarje ka qenë edhe shtetasi E. K.
Për këtë ngjarje, më datë 31.12.2020, është arrestuar në flagrancë shtetasi K. K., i cili në bashkëpunim me vëllain e tij, shtetasin E. K., kanë tentuar të vrasin me armë zjarri shtetasin Xh. M., i cili gjithashtu është arrestuar në flagrancë, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj motrës dhe babait të dy vëllezërve.
Gjithashtu, në vijim të kontrolleve është kapur dhe ndaluar edhe një pjesëtar i grupit të Habilajve, shtetasi Reshat Radhima, 56 vjeç, banues në Vlorë, sepse Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë e ka dënuar me 4 vjet e 2 muaj e 4 ditë burgim, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal”, Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.



