Policia e Shtetit ka njoftuar se ka arrestuar një 35 vjeçar në Durrës, pasi dyshohet se ka vjedhur disa banesa të dëmtuara nga tërmeti.
Bëhet me dije se në pranga ka rënë Xh.K, 35 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale "Vjedhja".
Gjatë dy muajve të fundit ky person dyshohet se ka vjedhur 7 banesa të dëmtuara nga tërmeti në Durrës, ku ka marrë sende dhe orendi të ndryshme.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet me sukses operacioni i koduar "Pallati", për zbardhjen e vjedhjeve në banesat e dëmtuara nga tërmeti.
Arrestohet një 35-vjeçar me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes.
Zbardhen dhe dokumentohen 7 vjedhje të ndodhura gjatë muajve të fundit në qytetin e Durrësit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, si rezultat i një pune të mirorganizuar, në kuadër të operacionit të koduar "Pallati", arrestuan në flagrancë shtetasin:
Xh. K., 35 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale "Vjedhja".
Nga hetimet e kryera rezulton se ky shtetas, gjatë muajve të fundit, ka kryer disa vjedhje në qytetin e Durrësit, duke u futur në banesat e dëmtuara nga tërmeti që janë të braktisura nga banorët, ku ka vjedhur sende dhe orendi të ndryshme, konkretisht:
- Më datë 16.04.2020, në lagjen nr. 17, Durrës, dyshohet ka vjedhur në një pallat, 10 matës uji;
- Më datë 29.04.2020, dyshohet se ka vjedhur në banesën e shtetasit N. K., matësin e energjisë elektrike;
- Më datë 29.05.2020, në lagjen nr. 18, Durrës, dyshohet se ka vjedhur matësit e energjisë elektrike në një pallat;
- Më datë 19.06.2020, në lagjen nr. 18, Durrës, dyshohet se ka tentuar të vjedhë në banesën e shtetases A. Ll., një kondicioner;
- Më datë 19.06.2020, në lagjen nr. 18, Durrës, dyshohet e ka vjedhur 10 matës uji në një pallat 5-katësh në pronësi të shtetasit Sh. H.;
- Më datë 23.06.2020, në lagjen nr. 18, Durrës, dyshohet se ka vjedhur mobiliet në banesën e shtetases R. B.;
-Më datë 26.06.2020, në lagjen nr. 17, Durrës, dyshohet se ka vjedhur në banesën e shtetasit S. A.;
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale "Vjedhja".



