
Katërmbëdhjetë turistë nga Franca dhe Gjermania, që kishin mbetur të bllokuar në kanionin e Langaricës, për shkak të reshjeve të rrëmbyeshme të shiut, janë shpëtuar nga policia.
Turistët kanë eksploruar në këmbë zonën e Urës së Dashit, por kanë kërkuar ndiihmë nga policia pasi janë bllokuar në një pjesë të kanionit.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet, në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse dhe ato të zonave të mbrojtura, u nisën drejt zonës ku kishin mbetur të bllokuar turistët dhe bënë të mundur shpëtimin e tyre.
Të gjithë turistët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. Ata falënderuan shërbimet e Policisë dhe strukturat e tjera, për përkushtimin dhe humanizmin e treguar, si dhe për ndihmën e dhënë në kohë rekord.



