Situata në protestën e 28 Nëntorit në kryeqytet ka degjeneruar në përplasje të forta fizike mes protestuesve dhe forcave të policisë, menjëherë pasi turma marshoi nga Sheshi "Skënderbej" drejt bulevardit "Dëshmorët e Kombit".
Sipas raportimit në terren të gazetarit Besmir Pula, bllokada e parë policore u vendos pikërisht te ura e ish-hotel "Dajtit", ku tensionet shpërthyen me hedhjen e lëndëve djegëse nga ana e protestuesve dhe kundërpërgjigjen e menjëhershme të efektivëve.
Ka pasur një përplasje të fortë midis tyre, ku nga ana e protestuesve është hedhur kundrejt policisë molotov dhe nga ana tjetër policia është kundërpërgjigjur menjëherë me gaz lotsjellës dhe me ujë. Nga ana tjetër kemi protestues të cilët kanë nxjerrë koshat dhe në shenjë revolte janë përplasur me forcat e policisë.
Sipas gazetarit, për shkak të ndërhyrjes me ujë dhe gaz lotsjellës, turma e protestuesve është shpërndarë dhe ka devijuar në disa drejtime rreth qendrës së Tiranës.
Kjo përplasje e fortë ka bërë që një pjesë e turmës të devijojë në dy apo tre akse kryesore: fillimisht dy anët e Unazës dhe një pjesë tjetër në drejtim të bulevardit 'Dëshmorët e Kombit' që shkon nga rruga e ish-hotel 'Dajtit' në drejtim të Ministrisë së Brendshme.
