Një person është zhdukur në Fier, pasi kishte dalë me shokun e tij për të peshkuar në lumin Vjosë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, pasi ka bërë kallëzim shtetasi Sh. S., 64 vjeç, banues në Berat, se në 16 janar ka qenë për peshkim në lumin Vjosë, në fshatin Kashisht, me shokun e tij, shtetasin Engjëll Kanani, 63 vjeç, banues në Berat, dhe më pas ka humbur kontaktet me të.
Aktualisht vijojnë kërkimet në bashkëpunim me polumbarët e Renea-s për gjetjen e 63-vjeçarit.
Sipas banorit të fshatit Kashisht, Aleksandër Rakipi, dy peshkatarët vinin pothuajse çdo ditë në zonë për të peshkuar me grep.
Ditën e ngjarjes ata janë parë duke peshkuar në vende të ndryshme dhe kishin lënë një vend takimi rreth orës 14:30, takim që nuk u realizua kurrë.
Po sipas Rakipit 63-vjeçari i humbur vuante nga zemra dhe dyshohet se mund të ketë rënë në ujërat e lumit Vjosë.
Ky lumë të mbyt në çdo kohë thotë ai, nëse nuk e njeh teksa ka theksuar se ka patur kontrolle të vazhdueshme nga policia e cila ka krehur të gjithë zonën.



