
Sot në mbarë botën shënohet Dita Botërore e Televizionit, si ditë e cila simbolizon komunikim dhe globalizimin në botën bashkëkohore.
Kjo ditë është shpallur nga Kombet e Bashkuara në vitin 1996 dhe i ka bërë bashkë për herë të parë, institucionet kryesore të industrisë mediale, Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU), Asociacioni i Televizioneve Komerciale në Evropë (ACT) dhe EGTA Asociacioni i Radio Televizioneve me bazë në Bruksel.
Në Shqipëri, Avokati i Popullit vlerëson rolin e televizionit në promovimin e të drejtave të njeriut.
Avokati i Popullit vlerëson rolin e medias televizive si një mjet i fuqishëm në promovimin e të drejtave të njeriut dhe gjithashtu si një shërbim i vlefshëm për plotësimin e disa prej këtyre të drejtave, si ato për informim, edukim, barazi e zhvillim.
Dita Botërore e Televizionit është momenti i duhur për t’i nxitur qeveritë, organizatat e individët për të mbështetur zhvillimin e mediave televizive në ofrimin e informacionit të paanshëm për çështje dhe ngjarje të rëndësishme që prekin shoqërinë.
Më 17 dhjetor 1996, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së shpalli 21 Nëntorin si Ditën Botërore të Televizionit për të përkujtuar datën në të cilën u mbajt Forumi i parë Botëror i Televizionit në fillim të atij viti.
OKB-ja ftoi të gjitha vendet anëtare që ta respektojnë këtë ditë duke inkurajuar shkëmbimet globale të programeve televizive duke u fokusuar, ndër të tjera, në çështje të tilla si paqja, siguria, zhvillimi ekonomik dhe social dhe përmirësimet e ndryshimeve kulturore.



