Skuadra e Tiranës mposhti me sete 3-0 farkën në ndeshjen e javës së 12-të kampionatit kombëtar të volejbollit për meshkuj. Në një takim tepër të fortë, lojtarët e trajnerit Ilia Koja fituan me rezultatin 25-21 dy setet e para, ndërsa seti i tretë që ishte edhe më i forti përfundoi 25-23. Lojtarët e farkës, pavarësisht moshës së tyre të re ishin të përgatitur për ta fituar këtë takim, por vetëm dëshira nuk mjaftoi.
Antonio Spahiu, volejbollist Farka: “Objektivi ishtë shumë i lartë, prisnim ta mundnim Tiranën 3-1, 3-2. Aq na interesonte për të kapur “Play-Off”in, por rezultati nuk ishte kaq. E rivalizuam Tiranën në maksimum dhe pse jo, më tej edhe të fitojmë. Të mos kemi rivalitet.”
Ndërkohë, që Çali, njëri prej lojtarëve më me eksperiencë në radhët e bardhebluve flet për takimin, por ka edhe një thirrje për tifozët.
Ervin Çali, Volejbollist i Tiranës: “Rezultati ishte i lehtë 3-0, por ndeshja me Farkën nuk ka qenë asnjëherë e lehtë. Ne filluam vrullshëm në setin e parë, fituam mirë në setin e parë, ndoshta edhe pak eufori në setin e dytë që çoi në disa gabime sporadike, por prapë ia dolëm ta mbyllim me sukses setin. Dua t’u bëj një thirrje me të vërtetë tifozëve, volejbolli është shumë i bukur, volejbolli do mbështetje, nuk është vetëm futbolli sporti elitar në Shqipëri. Duhet edhe pak mbështetje tifozësh për volejbollin, sidomos kryeqytetin, Tiranën që njihet për tifozeri
I mërzitur për humbjen tregohet edhe trajneri i farkës, i cili vlerëson grupin e vet të lojtarëve dhe ka besim se ky kontigjent lojtarësh që ka në dispozicion do të arrijë objektivat që ka.
Dritan Bardhi, trajner i Farka Vollej: “Prisja më shumë nga djemtë. Ishim përgatit që të merrnim fitore ose të paktën të merrnim një dypikësh, pasi na duhet për “Play-Off”, por gjithsesi i kënaqur se shikoj rritje tek ekipi, janë të rinj.”
Nuk e quan aspak të lehtë fitoren e Tiranës, trajneri Koja, i cili vlerëson kundërshtarin dhe bën thirrje për kujdes nga lojtarët e vet.
Ilia Koja, trajner i Tiranës: “Farka është një ekip i konsoliduar. Pavarësisht se ka në përbërje lojtarë të rinj, ka në përbërje lojtarë me cilësi. Në këto raste nuk duhet gabuar se ndëshkohesh. Pësimi duhet të na bëhet mësim. Kampionati i meshkujve është një kampionat i fortë, pothuajse të gjithë ekipet duhen vlerësuar maksimalisht, për arsye se të gjithë kanë mundësi të fitojnë.”
Në ndeshjet e tjera të javës Erzeni mundi 3-0 Studentin, Skënderbeu Elbasanin, ndërsa Partizani mundi 3-1 Vllazninë. Renditja kryesohet ngta Erzeni me 29 pikë.



