
Një person i dënuar për vrasje u ndalua në portin e Durrësit, pasi tentoi që të dilte nga Shqipëria me pasaportë me ngjashmëri me një shtetas serb.
Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Policisë Kufitare të portit të Durrësit dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, si dhe shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës, Interpol Shkupit dhe Interpol Beogradit, u ndalua dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Maqedonisë së Veriut, shtetasi D. S., alias D. I., 45 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut.
Ky shtetas ka tentuar të dalë nga Republika e Shqipërisë dhe t’iu shmanget autoriteteve, duke përdorur një pasaportë me ngjashmëri, të një shtetasi nga Serbia, me rekorde kriminale.
Pas verifikimeve të thelluara të kryera nga Policia, në bashkëpunim me Interpol Tiranën, ka rezultuar ky shtetas ishte i shpallur në kërkim nga autoritetet e RMV-së, pasi Zyra e Prokurorisë i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja”, parashikuar nga Kodi Penal i këtij shteti.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët, vijon procedurat për ekstradimin e 45-vjeçarit.



