Një shpërthim me tritol është regjistruar në një auto-sallon makinash me qera në Kuçovë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:45 të mëngjesit të së martës në lagjen “Postobllok” të Njësisë Administrative Perondi. Dyshohet se lënda plasëse ka shpërthyer me telekomandë.
Nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar, por janë dëmtuar dyert, dritaret dhe xhamat e auto-sallonit.
Burimet pranë policisë konfirmojnë se kamerat e sigurisë kanë filmuar një person me kapuç, që hyn nga hekurat e derës brenda biznesit, vendos lëndën plasëse dhe largohet. Pak minuta më vonë ndodh shpërthimi.
Biznesi është në pronësi të shtetasit Gëzim Skënderaj, i cili nuk njihet si person me precedentë penalë.
Ndërkohë, një nga vëllezërit e tij, Bledi Skënderaj, punon si polic bashkiak, por burime bëjnë me dije se policia e përjashton mundësinë që shpërthimi të ketë lidhje me detyrën e tij.
Gjithashtu, pronari i biznesit ka edhe dy vëllezër të tjerë, ku me njëri prej tyre, Tani Skënderajn kanë punuar dhe jetuar disa vite në Itali, ndërsa tani kanë investuar në biznese në Kuçovë.
Ndërsa, vëllai tjetër, Zamir Skënderaj ka qënë i dënuar në Gjermani, ndërsa tani është duke vuajtur një dënim në Shqipëri për Trafikim të lëndëve narkotike.
Gjithashtu, Bledi Skënderaj ka patur vëlla edhe Avdyl Skënderajn, i vrarë në vitin 1997.
Nuk dihet nëse sulmi ka lidhje me aktivtetin e vëllezërve apo me vetë Bledi Skënderajn, teksa hetimet pritet të hedhin më shumë dritë mbi ngjarjen.



