Policia e Fierit ka arrestuar dy persona të akuzuar për vepra të ndryshme penale. Sipas policisë, një prej të arrestuarve akuzohet për dhunë në familje dhe një për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Konkretisht, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim I. D., 34 vjeç, banues në Fier. Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Dhunë në familje”.
Gjithashtu nga specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Fier, u bë ndalimi i shtetasit I. M., 35 vjeç, banues në Durrës, i shpallur në kërkim për veprën penale “Drejtimi i mjetit në gjendje të dehur”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.



