Policia e Vlorës ka vënë në pranga dy persona, ku njëri prej tyre ishte shpallur në kërkim. Sipas informacioneve zyrtare nga uniformat blu, mësohet se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të punës për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të shpallur në kërkim, bënë ndalimin e shtetasit G. K., 48 vjeç, banues në Vlorë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë e ka dënuar me 3 muaj burg për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, sepse ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila ka qenë me urdhër-mbrojtje.
Po ashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë bënë ndalimin e shtetasit F. L., banues në Sarandë, pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë jashtë banesës së tij, duke shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” të vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.



