Tensione në veri/ Sulmohet me armë zjarri policia në Zveçan, plagoset një efektiv

Tensione në veri/ Sulmohet me armë zjarri policia në Zveçan, plagoset një efektiv

Një patrullë e Policisë së Kosovës është sulmuar me armë zjarri në Zveçan.

Si pasojë e incidentit, një polic është lënduar lehtë dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në veturën e policisë.

Sipas PK-së, njësitet policore deri sa kanë qenë në detyra të rregullta, në patrullim, janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit  Audi, ngjyrë hiri, me targa KM.

Njësitet relevante policore kanë dalë në vendngjarje, për të kryer hetimet, kurse zyrtari policor i lënduar është transportuar në QKMF për ofrimin e ndihmës mjekësore.

Ndërkaq sulmi ka ndodhur pak orë pasi Policia e Kosovës shtoi prezencën e saj në veri.

Duhet theksuar se në kohën kur po bëhen përgatitjet që në katër komunat e veriut të organizohen zgjedhjet për kryetarë komunash, policia është përballur me sulme të vazhdueshme nga persona të panjohur.

Të mërkurën, u raportua se janë hedhur dy shok bomba, në Lagjen e Boshnjakëve, në të cilën jetojnë shqiptarë, serbë dhe boshnjakë.

Pas kësaj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka kërkuar shtyrje të zgjedhjeve për kryetarë të komunave në veri të Kosovës.

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha të entjen se nuk është koha e duhur për zgjedhje duke pasur parasysh ndjeshmërinë e momentit dhe kemi parë dhunë në 24 orët e fundit.

Incidentet e fundit në komunën e Mitrovicës së Veriut dhe Zubin Potokut në veriun e banuar me shumicë serbe ndodhën ndërsa policia po i shoqëronte zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në procesin e hapjes së Komisioneve komunale për zgjedhjet për kryetarë të katër komunave, që janë caktuar për datën 18 dhjetor.

 Grupe qytetarësh serbë penguan hapjen e zyrave të Komisioneve komunale të zgjedhjeve ndërsa policia njoftoi për të shtëna e shpërthime, por pa dëme në njerëz.

Presidentja e Kosovës tha se brenda ditësh do të sqarohet se cilat do të jenë veprimet e mëtejshme. Zgjedhjet u shpallën pas largimit të përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës mes mospajtimeve mbi përdorimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy