Lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e sotme në Sukth, ka reaguar zyrtarisht edhe Policia e Durrësit. Sipas uniformave blu, ndaj 48-vjeçari Arben Mërkuri alias Ismailaj, është qëlluar me automatik.
“Në qendër të Sukthit, një shtetas ende i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri automatik, në drejtim të dyqanit të shtetasit A. M.(I.), 48 vjeç.
Për pasojë shtetasi A. M.(I.) u plagos në gjendje të rëndë dhe si pasojë e plagëve të marra ndërroi jetë në spital. Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijon krehja e saj, për te bërë të mundur kapjen e autorit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për fiksimin e çdo prove të vlefshme që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit”, njofton policia.
Ndërkohë, burime nga policia bëjnë të ditur se 48-vjeçari është transportuar në gjendje të rëndë në Spitalin e Durrësit. Si pasojë e plagëve të rënda, ai ka ndërruar jetë.
Dyshohet se shkak për ekzekutimin e tij të jenë konfliktet për prishjen e pazareve të drogës, kjo pasi, viktima rezulton me precedent të mëparshëm penal.



