
Gjykata për Krime të Rënda vendos nën sekuestro pasuritë e paluajtshme të Admir Hoxhës, biznesmeni i arrestuar pas zbulimit të laboratorit të heroinës në Has. Pasuritë që dyshohet se janë vënë me të ardhurat e krijuara nga aktiviteti kriminal përfshijnë një resort me sipërfaqe 3320 m2 (resort Ador) në Rinas Tiranë, një automjet tip Audi me targë AA111MP. Hoxha akuzohet për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i narkotikëve“, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Hetimet ndaj Hoxhës kanë nisur më 14 nëntor 2016 nga Prokuroria e Kavajës.
“Nga aktet e referuara nga Shërbimi i Policisë Gjyqësore të Komisariatit të Policisë Kavajë kanë rezultuar të dhëna për një grup personash të paidentifikuar, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohej se trafikonin lëndë narkotike nga Shqipëria në drejtim të Italisë, si dhe trafikonin lëndë narkotike të llojit heroinë nga vendet e Bashkimit Evropian në Shqipëri", thuhet në njoftimin e organit të akuzës.
Më pas çështja i ka kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Gjatë hetimit po ashtu ka rezultuar se pjesëtarë të këtij grupi kriminal kryenin edhe vepra penale të tjera, si korrupsioni në sektorë të publik të ndryshëm, si hipotekë, polici, bashki dhe në institucione të tjera të administratës shtetërore.
Hoxha dyshohet se ka qenë ideatori i laboratorit të drogës në Has dhe ka qenë bashkëpunëtor me grupin e Shijakut.



