Tre persona janë arrestuar nga Policia e Vlorës, pasi akuzohen për falsifikim parash dhe vjedhje. Burime zyrtare nga policia thanë se shtetasi Dh.B., 36-vjeç, u kap në flagrancë në Vlorë.
Mësohet se ky shtetas, dyshohet se ka blerë orendi shtëpiake, duke i dhënë në këmbim shtetasit N.SH., një kartmonedhë me prerje 500 euroshe, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar.
Gjithashtu, bëhet me dije, se ky shtetas po drejtonte mjetin pa leje drejtimi përkatës. Ndërkohë, janë ndaluar dhe dy shtetas të tjerë.
Konkretisht, është ndaluar shtetasi në kërkim M.H., 41 vjeç, banues në Vlorë. Ndalimi i tij u bë pasi dyshohet se ky shtetas në muajin Shkurt 2020, ka vjedhur një sasi prej 17 000 lekë të rinj, në banesën e shtetasit A.H, lagjia "Lirimi" Vlorë.
Gjithashtu, ndalohet shtetasi në kërkim M.N., 39 vjeç banues në Vlorë. Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, i ka vendosur masën e sigurisë "Arrest në burg" për veprën penale "Vjedhja". Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.



