
Një person është arrestuar në Berat pasi kryente aktivitet të paligjshëm për lojëra fati. Po ashtu është proceduar penalisht edhe pronari i lokalit.
Në vijim të punës për evidentimin dhe ndëshkimin e paligjshmërisë, nga shërbimet e Hetimit të Krimit Ekonomik në DVP Berat është bërë e mundur evidentimi dhe goditja e një rasti të ushtrimit të aktivitetit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Gjatë kontrolleve u gjetën dhe u sekuestruan 4 pajisje elektronike (kompjutera në gjendje pune), 1 aparat celular dhe një shumë lekësh në lokalin e shtetasit K.Zh, në lagjen “Donika Kastrioti”, Berat ku dyshohej se ushtrohej aktivitet i kundërligjshëm i lojërave të fatit.
Në përfundim të veprimeve hetimore, nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik u arrestua në flagrancë shtetasi M.A., 56 vjeç, banues në lagjen “Donika Kastrioti”, Berat, pasi dyshohet se organizonte dhe ushtronte aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit si dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi K.Zh., 57 vjeç, (pronari i lokalit), banues në lagjen “Donika Kastrioti”, Berat, pasi kishte vënë lokalin e tij, në përdorim të shtetasit M.A.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.



