Bilanci që ka lënë pas moti i keq në qarkun e Sarandës paraqitet tepër i rëndë, me dëme të konsiderueshme në Çukë, Sarandë dhe Vrion, raporton korrespondentja e “MCN Live” nga Vlora, Ariola Hasanaj.
Ndërkohë, lumi Vjosë është rikthyer në shtratin e vet dhe situata po normalizohet pas katër ditësh përmbytjesh.
Gjatë ditës së sotme, niveli i Vjosës është ulur ndjeshëm, duke arritur rreth 4 metra, çka ka hequr rrezikun e menjëhershëm për zonat pranë lumit.
Banesat dhe tokat bujqësore që deri dje kishin prezencë të konsiderueshme uji tashmë janë tharë dhe nuk paraqesin më gjurmë përmbytjeje.Sipas matjeve të fundit, niveli i Vjosës ka zbritur në rreth 4 metra, çka ka hequr rrezikun e menjëhershëm për zonat pranë shtratit të lumit. Përmbytjet prekën gjithsej 10 banesa, 7 prej tyre të komunitetit rom në Novoselë dhe 3 në fshatin Fitore, ndërsa dhjetëra hektarë tokë bujqësore u mbuluan nga uji gjatë ditëve të fundit.
Bilanc i rëndë dëmesh ndërkaq është regjistruar në Çukë, Sarandë dhe Vrion: 500 hektarë nën ujë, 800 krerë bagëti të ngordhura
Pas çarjes së argjinaturës së lumit Bistricë, përmbytjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar dëme të mëdha në zonën e Çukës, Sarandës dhe Vrionit. Bilanci paraprak është tepër i rëndë: rreth 500 hektarë tokë bujqësore kanë mbetur nën ujë, duke shkatërruar të mbjellat dhe duke dëmtuar rëndë aktivitetin bujqësor.
Në total, raportohen 800 krerë bagëti të ngordhura, ndërsa disa fermerë kanë pësuar humbje të rënda individuale
Përveç humbjeve në blegtori, janë përmbytur dhe dëmtuar 15 magazina me misër, grurë, elb dhe produkte të tjera bujqësore, çka ka shkatërruar bazën ushqimore të fermave dhe ka rënduar edhe më shumë situatën e fermerëve të zonës.
Fermerët apelojnë për vlerësim urgjent të dëmeve, kompensim dhe masa të menjëhershme parandaluese, pasi situata rrezikon seriozisht vazhdimësinë e fermave të vogla dhe të mesme. Ata kërkojnë që institucionet të ndërhyjnë sa më shpejt për të ndihmuar në rikuperimin e zonës dhe për të shmangur një krizë më të thellë bujqësore.



