
Policia e Fierit në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, për të zbuluar ambientet e përshtatura për lojëra fati, si dhe për të goditur rastet e armëmbajtjes pa leje ka zbuluar dy lokale ku viheshin baste sportive, si dhe goditet një rast i armëmbajtjes pa leje.
Me këtë rast ka shpallur në kërkim njërin prej pronarëve të lokaleve dhe ka proceduar penalisht në gjendje të lirë 5 shtetas.
Poashtu janë sekuestruar 3 makineta, 3 celularë dhe 1 armë zjarri pistoletë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier, nga kontrollet e vazhdueshme në ambiente të ndryshme, të kryera me qëllim goditjen e rasteve të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, kanë konstatuar se në 2 lokale, në lagjen "Apollonia" dhe lagjen "Liri", Fier viheshin baste sportive.
Në përfundim të veprimeve procedurale për këto raste, u procedua në gjendje të lirë pronari i lokalit në lagjen “Liri”, shtetasi F. K., 64 vjeç, u shpall në kërkim pronari i lokalit tjetër, shtetasi S. M., 33 vjeç. Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë, pasi u kapën teksa vinin baste sportive në këto lokale, shtetasit Xh. K., 29 vjeç, F. A., 19 vjeç, M. Ç., 25 vjeç.
Punohet për kapjen e 33-vjeçarit.



