Tre armë zjarri janë gjetur nga Policia në automjetin e djegur në rrugën Lushnje-Berat, që dyshohet se është përdorur nga atentatorët në Lushnje, ku dy persona u vranë me armë zjarri pasditen e sotme.
Njoftimi i Policisë
Vrasja
Në datën 11.10.2017 në lagjen "Loni Dhamo", në vendin e quajtur "Ura e Përroit" Lushnje, nga persona të paidentifikuar ende është qëlluar me armë zjarri automatik dhe si pasojë kanë ndërruar jetë 2 shtetas, ka mbetur i plagosur rëndë 1 tjetër, si dhe ka marrë dëmtim të lehtë edhe një shtetas tjetër i cili ndodhet në Spitalin e Lushnjes nën kujdesin e mjekëve pa probleme për jetën.
Viktimat janë shtetasit Z. L, 23 vjeç dhe J. H., 22 vjeç, banues në lagjen "Loni Dhamo", Lushnje.
Shtetasi i plagosur rëndë është M.Xh, 26 vjeç, banues në lagjen "Loni Dhamo", i cili po transportohet për në Tiranë.
Si dhe ka marrë dëmtim të lehtë shtetasi B.T, 66 vjeç.
Makina e djegur
Gjithashtu në Sallën Operative Lushnje ka ardhur një telefonatë se në aksin rrugor Lushnje-Berat, në po digjet një mjet.
Grupi hetimor ka shkuar menjëherë ku ka gjetur në automjet tre arme zjarri automatike. Automjeti dyshohet se mund të jetë i autorëve.
Është ngritur grupi hetimor i cili po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Janë ngritur pika kontrolli në hyrje-daljet e qytetit me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarje.
Viktimat janë Zaimir Latifi, 23 vjeç dhe Jurgen Hoxha. Të rinjtë, që dyshohet se ishin dy shënjestrat e atentatit, po qëndronin pranë një lokali të frekuentuar prej tyre thuasje çdo ditë. Nga Hyrja e qytetit ka ardhur mjeti ku ndodhej një person me maskë dhe me kallashnikov në dorë, i cili ka qëlluar me breshëri duke i vrarë në vend dy të rinjtë. Më pas automjeti është larguar për në perëndim të qytetit. Vendi ku ndodhi vrasja është shumë pranë komisariatit të policisë.



