Një person i cili lëvizte në makinë me automatik me vete, është vënë në prangat e policisë së Maliqit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, bazuar në informacionet e siguruara se një shtetas qarkullonte i armatosur, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Sovjani”.
Si rezultat i operacionit, në fshatin Sovjan, Maliq, uniformat blu konstatuan në një rrugë mes parcelave bujqësore një automjet, në të cilin dyshohej se udhëtonte shtetasi i armatosur, dhe e ndaluan për kontroll.
Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e policisë gjetën 1 armë zjarri tip automatik.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjetën një armë gjahu teke dhe një sasi e vogël municioni luftarak.
Sendet e jashtëligjshme, së bashku me automjetin, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë B. B., 30 vjeç, banues në fshatin Sovjan, Maliq, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.



