Një 26-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se ka kryer 6 vjedhje/tentativa për vjedhje, ndërkohë që ishte nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Si rezultat i veprimeve hetimore intensive, të ndërmarra pas kallëzimeve të disa shtetasve dhe administratorëve të bizneseve për vjedhje të pronës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 finalizuan operacionin e koduar “Penaliteti”.
Gjatë këtij operacioni u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit me iniciale A. H., 26 vjeç.
Nga hetimet paraprake dyshohet se gjatë muajit prill 2026, ai ka vjedhur shuma parash dhe produkte në 4 subjekte, si dhe ka tentuar të vjedhë në një banesë dhe në një tjetër subjekt.
Verifikimet e mëtejshme zbuluan se 26-vjeçari ishte nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Dhuna në familje”.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.



