Eksperti i sigurisë Fatjon Softa, për operacionin antidrogë të SPAK gjatë të cilit u lëshuan 11 urdhra arresti, thotë se vjen prej zbërthimit të Sky dhe EncroChat.
Duke folur për edicionin e lajmeve për MCN TV, ai deklaroi se nuk beson të ketë dekonspirim në këtë operacion.
Operacioni është në zhvillim e sipër, flitet për operacion antidrogë si rrjedhojë e zbërthimit të Sky dhe Encrochat. 11 urdhra arreste mes tyre Mir Pepa, është i dyshuari kryesor që ka që në janar 2025 në kërkim, për shkak se qëlloi me armë në një aktivitet me prani të madhe njerëzish dhe dyshimet janë për aktivitet të drogave të forta, të ardhura nga Amerika Latine.
Shpesh flitet për dekonspirim por nuk mendoj se është çështje dekonspirimi, fakti që ka një vit në kërkim dhe nuk është ndaluar nga policia. Nuk besoj se kanë informacione për prezencën e tij. Por janë 11 persona në kërkim. Nuk dimë sa prej tyre janë arrestuar.
Është një operacion, hetimet për të cilin janë shtrirë prej dy vitesh. Rastet e shumta kanë treguar se përfshirja e personave të një niveli të lartë, tregon se dekonspirimi apo bashkëpunimi kanë qenë pjesë e atij aktiviteti. Rastet kur kanë qenë pjesë e forcave operacionale, duke vënë infrastrukturën shtetërore në shërbim të tyre.
Sa i takon operacionit të Policisë së Shtetit ndaj aktivitetit të Call Center, Softa foli për një skemë ndërkombëtare mashtrimi.
Duhet bërë dallim se kur flasim për Call Center, flasim për Call Center mashtrues, por nuk janë vetëm të tillë. Mes tyre patjetër që nga 2017 janë futur dhe Call Center të paregjistruar, nuk janë në shërbim klienti, por lidhen kryesisht me çështje financiare dhe si të tilla kanë përdorur këtë lloj infrastrukture. Nuk është çështje vetëm e investitorëve shqiptarë, por bëhet fjalë për një rrjet mashtrimi.
Shqipëria përdoret për shkak të kostos së lirë në Call Center, shqiptarët janë gjuhëfolës, kryesisht në italisht dhe anglisht. Janë tre Call Center të përfshirë në këtë operacion. Vlera për të cilët mendohet se është përvetësuar flitet rreth 50 milionë euro. Dhe vetëm gjatë operacionit janë gjetur 900 mijë euro.
Objekti ndodhet fare pranë sheshit “Skënderbej”, si ka mundësi që nuk është kontrolluar. Për sa kohë që nuk ka pasur kontroll në tre kate të një ndërtese në qendër të Tiranës. Herë pas here kanë ndërruar NIPT-in apo ambientin e punës, për t’iu shmangur gjurmimeve apo formave të ndryshme të kontrollit.



