
Gazetari Arsen Rusta në studion e MCN Live ka komentuar lidhur me shpërthimin e ndodhur mëngjesin e të hënës në Sarandë, ku u rrafshua me lëndë eksplozive hoteli ‘Bizantin”.
Ai tha se gjithçka ishte e organizuar dhe se tritoli ishte vendosur në pjesën e jashtme të objektit. Sipas tij, 5 kg lëndë eksplozive është vendosur në katër kolonat e objektit, ndërsa sqaroi se shpërthimi nuk ishte i telekomanduar, por me fije.
Dëme materiale ka pasur por sa i përket dëmeve materiale fizike për të nxjerr jashtë funksionit një strukturë nuk pati sepse tritoli është vendosur nga jashtë objektit në pjesën kolonës që të këputeshin ato nga lartë poshtë, nga kodra drejt pjesës së detit. Po ta shohësh në momentin e shpërthimit dëme shkakton tymi. Nuk kemi një shpërthim të telekomanduar, ka qenë me fitil, e ka ndezur dhe është larguar. Deri tani Sotir Çabiri i arrestuar si autori i dyshuar i vendosjes së lëndës plasëse nuk e ka pranuar krimin, por nga hetimi rezulton se pak ditë më parë ai ka ardhur nga jashtë shtetit dhe ditën e djeshme kishte një biletë udhëtimi drejt Anglisë. Kjo ka bindur policinë e Vlorës. Është folur për 20-30, por nga ekzaminimet e xhenios maksimumi i sasisë së përdorur C4 është 5 kg dhe i vendosur në 4 kolonat kryesore të objektit.
Më tej ai shtoi se kjo ka ardhur për shkak të një konflikti të vjetër, ndërsa sugjeroi se shteti duhet të marrë përsipër faturën dhe sheshin ta kthej në lulishte.
Dikush ka në dorë certifikatën e pronësisë, atë e gëzon Sotir Çabiri. Maksimumi i kësaj vepre penale pa u klasifikuar si akt terrorist do të mbyllet me 10 vite dënim me anë të një shkurtimi shkon në 7 vite. Ajo që unë sugjeroj është që shteti të marrë përsipër faturën dhe ta kthejë atë vend në një lulishte. Gjithsesi këtu drejtësia ka folur, por ndoshta e gjithë kjo ka ardhur për pamundësinë e ekzekutimit të një urdhri.



