Hapet spitali ditor brenda QSUT-së, i gatshëm për rreth 65 mijë pacientë

Hapet spitali ditor brenda QSUT-së, i gatshëm për rreth 65 mijë pacientë

Është hapur spitali ditor brenda Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

Spitali i ri ditor, pjesë e fazës së dytë të zbatimit të masterplanit për modernizimin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, është gati për të ofruar shërbim të specializuar për rreth 65.000 pacientë, që kanë nevojë për shërbime si dializë, toksikologji, alergologji, dermatologji, reumatologji dhe hematologji.

Ambientet e reja të njësive të trajtimit ditor janë të pajisura me teknologjinë më bashkëkohore, si dhe kanë infrastrukturë lehtësuese dhe komode me mjedise pritjeje të ridimensionuara, që do të lehtësojnë qarkullimin e pacientëve, si dhe të familjarëve që i shoqërojnë ata gjatë marrjes së shërbimeve mjekësore, duke shmangur fluksin në spitalin qendror.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Spitalin e ri, së bashku me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu, ku vizitoi disa kabinete e pavione dhe u takua me mjekë specialistë që shërbejnë aty.

“Spitali ditor do të ofrojë shërbime për të gjithë pacientët që kanë nevojë për konsulta ambulatore, pra që do të thotë nuk është një shërbim, i cili kërkon shtrim më tej se 24 orë. Jemi në një sipërfaqe prej 3500 metër katror të vendosur në këtë kat, pra në katin përdhe, ndërkohë që ka 60 shtretër dhe mbi 50 mjekë të cilët do të ofrojnë shërbim në këtë strukturë. Ajo që duhet theksuar është që me këtë vendosje që ne i bëjmë shërbimeve shëndetësore sidomos shërbimeve ambulatore në një kat të vetëm, optimizojmë të gjithë shërbimet dhe të gjithë fluksin e lëvizjes të pacientëve që marrin dhe kanë nevojë për shërbime të specializuara, që nuk zgjasin më shumë se 24 orë, sidomos pacientët me sëmundje kronike dhe që kufizojmë kështu fluksin e lëvizjeve në spitalin qendror”, shpjegoi Koçiu.

Nga ana e tij, Kryeministri Rama vlerësoi arritjet e deritanishme dhe kërkoi nga mjekët që të kenë në vëmendje kujdesin maksimal ndaj pacientit, si një dimension tejet i rëndësishëm i punës së tyre humane.

Nëse do të na shpikni edhe një vaksinë për virusin e mospërfilljes ndaj pacientëve, në raste të caktuara, do të ishte shumë mirë sepse unë që për shkak të punës e njoh sistemin nga brenda më shumë se sa një njeri që thjeshtë mund të vijë në spital ose mund të ketë ardhur në spital, – e di shumë mirë që pjesa dërrmuese e mjekëve janë super edhe bëjnë shërbim, por mjaftojnë pak individë që janë “të pavaksinuar” me normat e edukatës dhe të etikës në punë, për të shkatërruar imazhin e të gjithëve dhe për të hedhur poshtë punën e përbashkët që po bëjmë dhe që nuk ka koment. Këtu e dimë shumë mirë si ka qenë, e shohim si bëhet përditë. Unë mund të flas edhe si pacient i spitalit që e provova vetë, madje mund të vij prapë për një tjetër ndërhyrje.

Ndërkohë në QSUT, po përfundon ndërtimi i spitalit ditor me 60 shtretër, me një strukturë të re për hemodializën, toksikologjinë, hematologjinë dhe sëmundje të tjera që trajtohen ambulatorisht.

Do të përfundojë ndërtimi i spitalit të Angilogjisë-Kardiologjisë me kapacitet prej 80 shtretër, 3 salla operatore, ku pritet të kryhen 2 mijë ndërhyrje në vit.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy