10 makina të reja inteligjente kanë mbërritur në Shqipëri për të kontrolluar sigurinë rrugore.
Autoriteti Rrugor Shqiptar, përmes projektit “Mirëmbajtje dhe siguri rrugore bazuar në rezultate”, së bashku me Bankën Botërore, i kanë dhuruar Policisë së Shtetit 10 automjete të pajisura me sistemin e radarëve për monitorimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të automjeteve të cilët konstatohen me shkelje.
Sipas ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, makinat super inteligjente janë një hap tjetër ndaj modernizimit të sigurisë rrugore.
Siguria rrugore në fokus, 10 makina të reja inteligjente i shtohen flotës së Policisë së Shtetit përmes projektit të ARRSH dhe Bankës Botërore për rritjen e sigurisë rrugore. Makinat janë të pajisura me kamera dhe sistem- radarin për monitorimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të automjeteve që thyejnë rregullat e qarkullimit
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi, drejtorin e ARRSH, Evis Berberi dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano inspektuan nga afër automjetet e reja dhe funksionimin e tyre.
Ministrja Balluku tha se në bashkëpunim me partnerët janë hedhur një sërë hapash në drejtim të rritjes së sigurisë rrugore, siç janë eliminimi i shumë pikave të zeza në akset rrugore të vendit, vendosja e sinjalistikës, fushatat sensibilizuese dhe ato edukuese, si dhe puna e policisë rrugore në terren kanë ulur numrin e aksidenteve.
Sistemi i radarit i montuar në automjetet e reja të cilat ju dorëzuan Policisë së Shtetit bëjnë të mundur dedektimin e automjeteve me shpejtësi të lartë duke dokumentuar shkeljen me foto.
Kontrollon automjetin dhe dokumentacionin e drejtuesit duke konsultuar sistemet e të dhënave të policisë në kohë reale. Lexon të gjitha targat e automjeteve dhe i krahason me sistemin qendror të targave nëse këto targa janë problematike ose kanë shkelje të mëparshme.



