Juristi Indrit Sefa foli në emisionin “Fact Check” mbi legalizimin e kultivimit të kanabisit mjekësor në Shqipëri. Sefa i konsideroi kriteret e vendosura strikte, ku një prej tyre është edhe ruajtja e memorieve dhe imazheve për një vit, sa i takon monitorimit. Po ashtu ai vë në dukje se kompanitë shqiptare që do duan të hyjnë në këtë fushë, duhet të kenë partneritet me një kompani të huaj me përvojë.
“Me kriteret e vendosura nga rregulloret e Këshillit të Ministrave, janë kritere të një burgu të sigurisë së lartë. Një nga kriteret është ruajtja e memorieve dhe imazheve për një vit. Janë kritere shumë strikte, në përputhje me vendet e BE që e aplikojnë këtë nismë. Legjislatori ka përcaktuar që kompanitë shqiptare që duan të hyjnë në këtë fushë, duhet të kenë partneritet me kompani të huaja, me eksperiencë në këtë fushë. Jim Belushi ka shprehur interes për të investuar në këtë fushë. Eksperienca konsiderohet gjithmonë ajo legale. Shpresoj që këta të kanabisit nuk do të marrin statusin e investitorit strategjik.
7 persona do jenë pjesë e drejtorisë që do monitorojë respektimin e despozitave ligjore. Struktura është modeste, 7 personat do jenë të autorizuar për kontrollin. Nëse e bën VKM-në një vite gjysmë pas miratimit të ligjit, tregon që ose s’e ke predispozitën për të vazhduar, ose s’ke kërkesa. Nuk kam informacion që ka kompani të interesuara për këtë aktivitet, por në Maqedoni s’e ka dhënë këtë sukses”.



