Një konflikt i çastit për motive të dobëta, për pak sa nuk ka përfunduar në një tragjedi të vërtetë në Urën Vajgurore. Një person, i identifikuar si Violand Hoxha 38 vjeç, banues në Urë Vajgurore, pas një sherri banal me një 23-vjeçar me inicialet D.H, edhe ky banues në Urën Vajgurore, ka tentuar ta vrasë të riun duke e goditur me mjetin tip kamionçinë.
Sipas policisë së Beratit, 23-vjeçari ishte duke lëvizur me një motorr në momentin që u përplas. Menjëherë u bë transportimi i tij për në spitalin e Beratit, ku mësohet se është jashtë rrezikut për jetën.
Por nuk mjaftoi me kaq. Dy të afërm të 23-vjeçarit, kanë plagosur rëndë autorin e ngjarjes. Policia thotë se ka shoqëruar në komisariat Violand Hoxhën, dhe dy të afërmit e 23-vjeçarit, me inicialet G.H, 49 vjeç dhe P.H, 34 vjeç, të dy banues në Urë Vajgurore.



