Pezullohet nga detyra në punonjës policie në Mitrovicë, i cili dyshohet se ka dhunuar dhe goditur me shufër metalike një të ri, pasi ky i fundit kishte dalë jashtë përtej orarit të lejuar të orës policore.
Lajmi është konfirmuar nga Inspektorati Policor i Kosovës, i cili ka bërë me dije se zyrtari policor është pezulluar për 72 orë për të hetuar rastin.
Zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka, ka konfirmuar se do të ndërmerren veprime në bashkëpunim me prokurorinë.
“Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar informacionin për këtë rast dhe hetuesit i janë përgjigjur rastit duke dalë në vendin ngjarjes në Mitrovicë. Hetuesit e IPK-së kanë filluar menjëherë grumbullimin e informacioneve si dhe kanë kontaktuar me Prokurorinë e Mitrovicës. Zyrtari policor i përfshirë në këtë rast është suspenduar për 72 orë me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës. Veprimet tjera hetimore priten të ndërmerren në konsultim me prokurorinë kompetente në përputhje me misionin ligjor të Inspektoratit Policor të Kosovës”, ka thënë Beka.



