
Policia e Tiranës njofton se ka arrestuar katër persona pasi të njejtët u kapën duke vjedhur një farmaci në zonën e Kombinatit.
Policia sqaron se këta persona janë autorë të 11 vjedhjeve të tjera në zonën e Tiranës, Durrësit dhe Belsjit. Ndërkohë është shpallur në kërkim edhe bashkëpunëtori i tyre.
Në kuadër të operacionit “Shtegtarët” u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve Behar Allmuça, 27 vjeç, Leonard Hoxha 24 vjeç, Anderson Fidani 31 vjeç dhe Klajdi Lila, 17 vjeç.
I mituri banues në Kombinat, akuzohet për veprat penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Këta katër shtetas janë arrestuar në kushtet e flagrancës, gjatë kohës që ishin duke vjedhur në një farmaci në rrugën “Petraq Leka”, në Kombinat.
Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim edhe bashkëpunëtori i tyre, shtetasi F. L., 29 vjeç, banues në Shkozë, Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se këta shtetas janë autorë të 11 rasteve të vjedhjeve dhe tentativave të vjedhjeve të banesave dhe bizneseve të ndryshme.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një automjet, një granatë (e gjetur në banesën e shtetasit K. L.), mjete të ndryshme që dyshohet se përdoreshin për kryerjen e vjedhjeve, një biçikletë, katër piktura, një sasi parash dhe një mjet prerës për lëndë drusore.
Ndërkaq vijon puna për kapjen e bashkëpunëtorit tjetër të shpallur në kërkim, si dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.



