
Ministria e Brendshme denoncoi sot 18 vendime gjykatash, të cilat u kanë dhënë lirinë personave me rrezikshmëri të lartë. Në një deklaratë për shtyp, zv.ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, tha se në më shumë se 18 raste, gjykata e Tiranës dhe ato të disa rretheve kanë dhënë vendime që shkelin parametrat e sigurisë në vend.
"Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë bërë publik vendime gjykatash në kundërshtim të hapur me ligjin. Ndaj, gjejmë rastin të denoncojmë gjithashtu vendimet, në më shumë se 18 raste, të Gjykatave të Rretheve Vlorë, Elbasan, Lezhë, Tiranë, Korçë e Shkodër, ku ndaj të arrestuarve me armë pa leje, për tentativë grabitje më armë, apo duke thyer masën e sigurisë dhe duke qarkulluar me armë në qytet, janë dhënë vendime aspak në zbatim të ligjit apo në funksion të rritjes së parametrave të sigurisë në vend: vendime arrest shtëpie, detyrim paraqitje, apo lirim të menjëhershëm nga salla e gjyqit", tha ai.
Zv.ministri i Brendshëm solli rastin e 28-vjeçarit Taulant Manaj, i arrestuar 2 herë brenda pak muajve për vepra të rënda penale dhe i lënë më pas në masën “Arrest shtëpie”, megjithëse herën e dytë kishte thyer këtë masë dhe u kap me armë në makinë.
Manaj është arrestuar në shkurt të vitit të kaluar në Vlorë për veprat penale “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje e armeve luftarake dhe municionit”. Ndaj tij, Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, me vendimin Nr. 61 datë 02.03.2018, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, ndërsa Apeli i Vlorës, me Vendimin Nr.979 datë 28.03.2018, e ka ndryshuar masën e sigurisë nga “Arrest ne burg”, në “Arrest në shtëpi”.
Manaj është arrestuar sërish në qerhsor të këtij viti për kryerjen e veprave penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhim i armeve, armeve shpërthyese dhe i municioneve “ dhe “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”. Por Gjykata e Vlorës, me një vendim të datës 06.08.2018, ka vendosur zëvendësimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” me masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për një person përsëritës dhe të njohur për rrezikshmërinë kriminale në qytet.



