
Policia e Durrësit ka arrestuar një 14-vjeçar, i dyshuar për plagosjen me thikë të një adoleshenti tjetër gjatë një konflikti për motive të dobëta.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një konflikt të ndodhur në lagjen nr. 14/1, në rrugën “Lugina e Karavastasë”, organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes.
Nga veprimet hetimore rezultoi se gjatë debatit, i mituri M. K., 14 vjeç, banues në Durrës, dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë) shtetasin E. B., 15 vjeç, duke i shkaktuar plagë të rënda. I dëmtuari ndodhet në Spitalin Rajonal të Durrësit, nën kujdesin e mjekëve.
Pas identifikimit të autorit, Policia kontrolloi zonën dhe ambientet përreth, dhe pas disa orësh bëri të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin në flagrancë të M. K., 14 vjeç. Ai akuzohet për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.



